Kronikë
Rigjykimi për vrasjen e shtetases argjentinase: Dëshmojnë dy menaxherët e hotelit në Prishtinë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka zhvilluar seancën e radhës në kuadër të rigjykimit të Endrit Nikës, i cili po ballafaqohet me akuzat për vrasjen e ish-të dashurës së tij nga Argjentina, Maria Clara Urdangaray. Ngjarja e rëndë, sipas organit të akuzës, kishte ndodhur gjatë vitit 2023 në një hotel në Fushë Kosovë, ku i pandehuri dyshohet se e hodhi viktimën nga kati i gjashtë i objektit.
Gjatë seancës së mbajtur të enjten, para trupit gjykues ka dëshmuar Fehmi Zabeli, njëri nga menaxherët e hotelit. Ai ka sqaruar se nuk kishte pasur njohje apo kontakt të mëparshëm me çiftin, ndërsa për ngjarjen tragjike kishte marrë njoftim përmes një telefonate nga roja i objektit, pasi ishte duke fjetur në dhomën e tij që ndodhej dy kate më lart se vendndodhja e incidentit.
"Kam qenë në hotel, pasi gjatë sezonit akomodohem aty. Dhoma ime ishte dy kate më lart se vendi ku ndodhi rasti. Nuk kam dëgjuar asgjë, derisa më telefonoi roja me emrin Ramiz dhe më tregoi se një grua kishte rënë. Pas rreth pesë minutave kam zbritur poshtë", ka deklaruar Zabeli para gjykatës.
Menaxheri ka treguar se më pas kishte njoftuar kolegun e tij, Mirlind Zeqiri, i cili po ashtu po flinte. Kur kishte dalë në katin përdhes, Zabeli tha se nuk e kishte parë viktimën, por kishte vërejtur efektivë të policisë, xhama të thyer dhe një person tjetër, ndërkohë që më vonë ishte paraqitur te organet e rendit për të dorëzuar dokumentin e identifikimit.
I pyetur nëse kishte parë pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitari fillimisht e mohoi një gjë të tillë, por më pas saktësoi se kishte parë vetëm një sekuencë shumë të shkurtër të momentit të rënies së viktimës, ndërsa pjesën tjetër të incizimeve i kishte parë përmes mediave.
Pas tij, në seancë dëshmoi edhe menaxheri tjetër, Mirlind Zeqiri, i cili iu përgjigj pyetjeve të avokatit mbrojtës të të akuzuarit Nika, Tomë Gashi. Zeqiri konfirmoi se natën kritike ndodhej në dhomën e tij dy kate më lart dhe se ishte në gjumë kur ndodhi ngjarja, duke shtuar se për rastin ishte njoftuar nga Fehmi Zabeli dhe thirrjet në derë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: