Aktuale
Prishtina ndez radiatorët: 'Termokos' fillon zyrtarisht sezonin e ngrohjes 2026/2027
Reklamë e Sponsorizuar
Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se nga sot, 15 tetori, kryeqyteti ka hyrë zyrtarisht në sezonin e ri të ngrohjes 2026/2027. Mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes qendrore do të kenë furnizim me energji termike, pasi ndërmarrja ka konfirmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike dhe operacionale.
Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos-it”, Bersant Beka, së bashku me ekipin menaxhues, ka mbikëqyrur procesin e përgatitjeve, duke konstatuar se gjithçka është gati për funksionimin e sistemit. Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe duke marrë parasysh ndryshimet e kushteve klimatike që kërkojnë fillimin e ngrohjes për qytetarët.
Në kuadër të këtij procesi, “Termokos” ka finalizuar me sukses marrëveshjen për furnizim me energji termike me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ndërsa i gjithë procesi është realizuar në koordinim të plotë me Komunën e Prishtinës dhe organet përkatëse drejtuese.
Për të siguruar mbarëvajtjen e sistemit dhe për të mbrojtur pajisjet nga ngarkesat e menjëhershme, furnizimi do të nisë fillimisht me kapacitet të kufizuar. Ndërmarrja ka bërë të ditur se shpërndarja e ngrohjes do të rritet në mënyrë graduale, derisa të arrihet stabilizimi i plotë i furnizimit për të gjithë abonentët nëpër shtëpitë dhe objektet e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: