Kronikë
Skema e fajdes në Prishtinë: Nga 38 mijë euro borxh, viktimës i zhvatën 123 mijë euro
Reklamë e Sponsorizuar
Një histori e rëndë zhvatjeje dhe presioni financiar ka dalë në dritë, pasi një viktimë e fajdes dyshohet se është detyruar t'u kthejë tre të dyshuarve një shumë prej 123 mijë eurosh, ndonëse kishte marrë hua vetëm 38 mijë euro. Redaksia jonë ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë, e cila zbardh detajet tronditëse të këtij rasti.
Të mërkurën, më 23 shtator, Policia e Kosovës ka vënë në pranga tre persona, të identifikuar si B.M., Sh.B. dhe M.B., të cilët dyshohen për veprat penale “Fajde” dhe “Kanosje”. Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë ka ushtruar kërkesën zyrtare për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Sipas dokumenteve të organit të akuzës, aktiviteti i paligjshëm kishte nisur që nga viti 2021. Duke përfituar nga situata e rënduar financiare e të dëmtuarit A.Y., të dyshuarit i kishin dhënë atij gjithsej 38 mijë euro, duke vënë një kusht zhvatës prej 10 për qind kamatë mujore.
“I dëmtuari duke mos pasur mundësi që të paguaj për kthimin me kamatë të të hollave, i pandehuri B.M vazhdimisht ka ushtruar presion duke e thirrë se i njëjti është në presion të të pandehurit tjetër Sh.B, ku deri në muajin maj të vitit 2026 i dëmtuari A. ishte detyruar t’ia jap shumëm prej 123 mijë euroshm ndërsa më 11.09.2026 në takimin e zhvilluaes mes të pandehurve B.M dhe M.B i kanë kërkuar edhe shumën prej 27 mijë eurosh,” thuhet në dosjen e prokurorisë.
Përveç presionit financiar, i pandehuri M.B dyshohet se ka përdorur edhe metoda të frikësimit ndaj familjarëve të viktimës.
“Gjatë muajit maj të vitit 2026, me qëllim të frikësimit, ka komunikuar edhe me djalin e të dëmtuarit, A.Y., duke i shkaktuar këtij të fundit ankth dhe shqetësim dhe përmes mesazheve SMS, i pandehuri i ka bërë presion të vazhdueshëm lidhur me kthimin e shumave të parave dhe e ka kanosur seriozisht se, nëse borxhi nuk kthehet ‘do të bëhet shumë keq’,” theksohet tutje në aktakuzë.
Përfaqësuesit e prokurorisë kanë argumentuar se paraburgimi është masë e pashmangshme, pasi lënia e të pandehurve në liri rrezikon të dëmtojë rrjedhën e procedurës dhe të ndikojë te dshmitarët.
Gjatë fazës së hetimeve, i pandehuri M.B është marrë në pyetje nga autoritetet policore. Ai ka pranuar se ka pasur transaksione financiare me viktimën, por ka mohuar kategorikisht që ato të kenë qenë në formë fajdeje.
“Po i kam dhënë para nga viti 2021 deri në 2023 sa më kujtohet viti dhe shuma që ia kam dhënë është totat 52 mijë por këto para ia kam dhënë në kohë dhe shuma të ndryshme. Këto para nuk kanë qenë të miat i kam marrë te daja im i cili gjendet në Austri, kam marrë kredi dy herë 2 mijë euro, një herë 5 mijë euro… A i keni dhënë para me interes fajde A.? Jo kurrë në jetë,” ka deklaruar ai para hetuesve.
I dyshuari ka shtuar se për mbylljen e këtij borxhi ka pranuar mjete financiare edhe nga vetë anëtarët e familjes së viktimës, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe vajzën e tij.
“Po më ka dhënë bashkëshortja e A., djali i tij dhe vajza e tij, në vitin 2023 mi kanë dhënë afër 52 mijë euro në kohë dhe shumë të ndryshme, mirëpo bashkëshortja nuk e ka ditë që A. i ka këto para borxh tek tre persona nga Shqipëria, këtë e ka ditë vetëm A. dhe më ka thënë t’i them bashkëshortes së tij se paratë janë për disa persona nga Peja,” ka përfunduar dëshminë e tij M.B.
Në kuadër të operacionit policor, gjatë bastisjeve në pronat e të dyshuarve, autoritetet kanë sekuestruar pajisje telefonike, 20 dosje të ndryshme shitblerjeje, një fletore me shënime dore, para të gatshme në euro dhe franga, si dhe një automjet luksoz të tipit Audi A6.
Ndërkohë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e paraburgimit për të tre të pandehurit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: