Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Tiranë në gjendje alarmi: Dhjetë orë tensione, sulme mbi institucione, banka dhe biznese

Redaksia Lajmetereja • 14-10-2026 19:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Tiranë në gjendje alarmi: Dhjetë orë tensione, sulme mbi institucione, banka dhe biznese
Kryeqyteti është përfshirë nga një valë e gjerë dhune dhe përplasjesh gjatë një proteste që ka zgjatur plot dhjetë orë, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale në objekte publike dhe private. Turma e protestuesve ka lëvizur nga një zonë në tjetër të Tiranës, duke vënë në shënjestër institucione shtetërore, qendra tregtare, biznese dhe banka, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur në disa raste me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Tensionet nisën fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku godina u ballafaqua sërish me gurë dhe flakë. Persona me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve dhe i përdorën për të goditur institucionin. Situata vijoi e tensionuar përgjatë Rrugës së Durrësit, ku u shkatërruan disa biznese private dhe u dogj plotësisht një bankë e nivelit të dytë. Më pas, protestuesit u drejtuan për te Sheshi “Skënderbej”, duke u vënë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave. Një tjetër vatër e nxehtë ishte Ministria e Ekonomisë, ku manifestuesit depërtuan në katin e parë të godinës, duke thyer xhama, shkulur dyer dhe nxjerrë orenditë jashtë. Sulme të ngjashme u regjistruan edhe në Ministrinë e Brendshme, ku u dëmtuan xhamat e ndërtesës, si dhe te Ministria e Drejtësisë, ku u vu flaka në katin e parë pas thyerjes së xhamave. Më tej, protestuesit u ndanë në dy grupe, duke u zhvendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të sulmuar ndërtesat përgjatë tij. Dëmtime të rënda u shënuan te Piramida e Tiranës, ku u dogjën dhe u shkatërruan pjesë të ambienteve, si dhe u sulmua një tjetër bankë private. Trazirat vijuan te Kryeministria, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore, si dhe te Kryesia e Kuvendit, ku pati tentativë për t'u futur me dhunë brenda. Vagabondazhi i dhunshëm preku edhe zonën e “Kullave Binjake”, ku u shkatërruan dhe u dogjën bizneset e vendosura në katin e parë të dy godinave, ndërsa një grup tjetër vandalizoi xhamat e qendrës tregtare pranë Kalasë së Tiranës. Gjatë gjithë këtij harku kohor prej dhjetë orësh, policia ndërhyri në pika të ndryshme kritike për të neutralizuar situatën dhe për të zmbrapsur turmat e irrituara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar