Ekonomi
Trepça shkruan historinë në Kroaci, arrin triumfin e parë historik në FIBA Europe Cup ndaj Splitit
Reklamë e Sponsorizuar
Kampionia e Kosovës, Trepça, ka regjistruar suksesin e saj të parë për këtë edicion në kuadër të FIBA Europe Cup, pasi ka mposhtur si mysafire skuadrën kroate të Splitit me rezultat 69-78, në takimin e vlefshëm për xhiron e dytë të Grupit A.
Pas një nisjeje të barabartë, skuadra mitrovicase mori kontrollin e lojës duke filluar nga çereku i dytë, moment prej të cilit udhëhoqi vazhdimisht në rezultat dhe në disa raste krijoi epërsi dyshifrore. Vendasit kroatë arritën të këndelleshin vetëm në çastet e fundit të ndeshjes, duke ngushtuar diferencën përfundimtare në nëntë pikë.
Në radhët e “Xehetarëve”, lojtari më i dalluar në parket ishte Kevin Bracy-Davis me 18 pikë të shënuara, ndërsa paraqitje fantastike në debutimin e tij pati edhe James Graham, i cili kontribuoi me 15 pikë të tjera.
Kontribut të rëndësishëm me pikë dyshifrore dhanë edhe Payne me 12 pikë e tetë asistime, si dhe dyshja Drilon Hajrizi e Mikaile Tmusic, të cilët realizuan nga 11 pikë secili.
Ndërkohë, te ekipi i Splitit u dalluan Rebec me 15 pikë dhe McLaughin me 12 sosh, të cilët nuk mjaftuan për të shmangur disfatën.
Ky triumf vjen pas humbjes që Trepça pësoi në ndeshjen e parë të grupit, duke i shkaktuar njëkohësisht Splitit humbjen e parë në këtë fazë të garave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: