Aktuale
Kryeqyteti paralajmëron padi ndaj KMDK-së, bllokimi i deponisë së Mirashit lë Prishtinën në mbeturina
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti është përfshirë nga mbeturinat e pambledhura prej ditësh, duke nxitur ankesa të shumta nga qytetarët në disa lagje të ndryshme të Prishtinës, si në rrugën “Muharrem Fejza” dhe në zonën e Hajvalisë.
“Qe një javë ka na s’kanë ardhë andej”, u shpreh një banor, ndërsa një tjetër shtoi: “Ka dy javë s’po i marrin, ka tri javë s'po i marrin. Rasti është shumë urgjent”.
Kompania rajonale “Pastrimi” ka kërkuar ndjesë publike për vonesat dhe mosrealizimin e plotë të shërbimeve, duke ia faturuar këtë situatë ndryshimit të orarit të operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Lidhur me këtë ngjarje, udhëheqësit e Komunës së Prishtinës kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre. Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, deklaroi se mbyllja e deponisë për shtatë orë rresht ka shkaktuar pasoja të pariparueshme në ciklin e grumbullimit. “Për shtatë orë me radhë, kamionët e kompanisë 'Pastrimi', të cilët grumbullojnë mbeturinat gjatë gjithë natës, nuk mund të zbrazin kamionët askund”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, drejtori i shërbimeve publike, Leutrim Retkoceri, lëshoi një ultimatum të qartë: “Sonte në orën dymbëdhjetë kërkojmë që dyert e deponisë në Mirash të hapen për t'u larguar mbeturinat në kryeqytet. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”.
Në krahun tjetër, KMDK-ja përmes një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se ndryshimi i orarit të pranimit është pasojë e një procesi të planifikuar të analizimit dhe rivlerësimit të kushteve operative, masë kjo që përfshin të gjitha deponitë sanitare dhe stacionin e transferit nën menaxhimin e tyre, e jo vetëm deponinë e Mirashit.
Sipas kompanisë së deponive, numri i automjeteve gjatë orëve të natës është i vogël krahasuar me ditën, gjë që ka ndikuar në rritjen e kostove operative dhe shfrytëzimin e paplotë të kapaciteteve. Për më tepër, analiza ka nxjerrë në pah sfida të sigurisë në punë, si ndriçimi i pamjaftueshëm, prania e qenve endacakë dhe rreziqe të tjera për punonjësit gjatë natës, duke çuar në rekomandimin për një riorganizim të orareve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: