Politikë
Nis funksionimin Korporata për Ruajtjen e Energjisë, Kurti: Investim prej mbi 236 milionë dollarësh për sigurinë e sistemit
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Ekonomisë ka organizuar mbledhjen e parë konstituive të Bordit të Korporatës për Ruajtjes së Energjisë (KRE Sh.A.), një ndërmarrje publike e cila ka lindur si pjesë e nismave për zgjerimin e kapaciteteve të grumbullimit të rrymës elektrike në vend.
Gjatë këtij takimi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se ky hap shënon një kthesë të rëndësishme në konsolidimin e infrastrukturës energjetike, duke nënvizuar se ruajtja e energjisë do të mundësojë shfrytëzimin e saj pikërisht në periudhat kur ngarkesa në rrjet është në nivelet më të larta.
Sipas kreut të ekzekutivit, me funksionalizimin e kësaj ndërmarrjeje të re, sektori energjetik po pajiset me një mekanizëm jetik që deri më tani ka munguar në tregun tonë.
“Ne kemi KEK-un dhe Ibër-Lepencin që prodhojnë energji elektrike, e kemi KEK-un që transmeton atë, kurse tani e kemi edhe Korporatën e Re të Kosovës për Energji (KRE), e cila do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti. Me këtë ndërmarrje të re publike, po i shtojmë sistemit tonë energjetik një aftësi e cila i ka munguar. Që në hartimin e Programit Kompakt me partnerët amerikanë, kemi punuar që investimi në bateri të shoqërohet me krijimin e një ndërmarrjeje e cila do t’i zotërojë dhe do t’i menaxhojë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), kemi themeluar edhe KRE-në. Sot, me mbledhjen e parë të bordit, vazhdojmë punën për ta bërë ndërmarrjen sa më funksionale. KRE-ja është 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, pra është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirëmenaxhuar dhe duke e shtuar. Ndërmarrjet tona publike duhet të jenë të suksesshme, të krijojnë vlerë ekonomike dhe këtë vlerë ta vënë në shërbim të qytetarëve tanë. Ky është orientimi ynë edhe me KRE-në”, deklaroi Kurti.
Kryeministri shtoi se Programi Kompakt, në kuadër të të cilit realizohen këto projekte zhvillimore, kap shifrën totale prej 236.7 milionë dollarësh, ku pjesa dërrmuese përbëhet nga fonde mbështetëse amerikane.
“Programi Kompakt ka vlerën e përbashkët prej 236.7 milionë dollarë. Nëpërmjet kësaj, 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, dhe 34.7 milionë janë kontribut nga Qeveria e Kosovës. Është një investim i përbashkët në sigurinë energjetike dhe në zhvillimin afatgjatë në Kosovë. KRE-ja do të ketë për qëllim t’i operojë bateritë në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh dhe kapacitet ruajtës prej 250 megavat-orë energji. Bashkë me sistemin prej 99 megavat-orësh të KEK-ut, KRE-ja do të ketë 340 megavat-orë kapacitet total për ruajtjen e energjisë. Në praktikë, kjo do të thotë ta ruajmë energjinë kur e kemi të lirë, për ta kthyer më vonë, atëherë kur na duhet më së shumti. Kështu zvogëlojmë nevojën për importe në orët e pikut dhe e ndihmojmë balancimin e sistemit”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të bordit, shefi i qeverisë kërkoi angazhim maksimal, duke kërkuar që menaxhimi të bazohet te standardet më të larta të meritokracisë dhe transparencës.
“Të nderuar anëtarë të bordit, përvoja juaj në energjetikë, financa, drejtësi dhe administratë publike është e shkëlqyer. Nga ju presim që të udhëhiqni ndërmarrjen mbi bazë të rekrutimit me meritë, vendimmarrjes profesionale dhe llogaridhënies së lartë. Teknologjisë së re duhet t’i përgjigjemi me qeverisje të mirë. Qytetarëve të cilëve u shërbejmë, u detyrohemi përgjegjësi për mbarëvajtjen e kësaj ndërmarrjeje”, përfundoi Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: