Kronikë
Gjakovë: I dyshuari për vjedhjen e 1,700 eurove dhe pajisjeve në shtëpinë e fqinjit dërgohet në paraburgim
Reklamë e Sponsorizuar
Një muaj paraburgim i është caktuar një qytetari në Gjakovë, i cili dyshohet se gjatë orëve të mesnatës ka depërtuar në banesën e fqinjit të tij, duke u larguar me para, pajisje teknologjike, stoli dhe orendi të tjera me vlerë.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke vendosur që i pandehuri me inicialet RR.H. të mbahet në paraburgim për periudhën e caktuar ligjore.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 12 tetor 2026, në mesnatë. I dyshuari, nën pretendimin e përfitimit të paligjshëm të pasurisë, dyshohet se fillimisht ka kaluar murin ndarës të pronës së tij, është futur në oborrin e fqinjit G.H. dhe më pas ka hyrë në shtëpi përmes derës së tarracës.
Nga kjo hapësirë, ai dyshohet se ka përvetësuar një zarf që përmbante 1,700 euro, një tablet “Apple”, një laptop “Pecard Bell”, dy aparate telefonike “Redmi”, kabllo dhe pajisje të ndryshme elektrike, syze dielli të markës “Carrera” dhe modele të tjera, dy orë dore, stoli ari, monedha dinarë, si dhe dy çanta, njëra për udhëtim dhe tjetra për laptop.
Për shkak të këtyre veprimeve, palës së dëmtuar i është shkaktuar dëm i ndjeshëm material.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, konstatoi se ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e kësaj mase sigurimi ndaj të pandehurit.
Masa e paraburgimit për të dyshuarin llogaritet nga data 12 tetor deri më 11 nëntor 2026.
Të pakënaqurit me këtë vendim gjyqësor gëzojnë të drejtën e ankese drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: