Politikë
Kanosja ndaj Vjosa Osmanit: Dalin para gjykatës detajet e postimit në rrjetet sociale
Reklamë e Sponsorizuar
Një koment i publikuar në platformën sociale Facebook, ku shkruhej “Mas more se ajo që e shet venin pak esht plumbi per te, rnoft Albini me popullin”, është bërë shkak që Bekim Sylejmani të përballet me drejtësinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjatë seancës fillestare të mbajtur këtë të mërkurë, Sylejmani ka refuzuar akuzat, duke u deklaruar i pafajshëm për veprën penale të kanosjes ndaj ish-Presidentes, Vjosa Osmani.
“Nuk e pranoj fajësinë”, ka qenë deklarata e shkurtër e të pandehurit pasi prokurori Besart Mustafa lexoi aktakuzën e plotë që e ngarkon atë me këtë vepër penale.
Në vijim të seancës, gjyqtari i çështjes, Bujar Ahmeti, e ka sqaruar të akuzuarin lidhur me të drejtat e tij, duke e njoftuar se mbrojtja me avokat nuk është e detyrueshme për këtë procedurë. Pas kësaj, Sylejmani ka vendosur të mbrohet vetë dhe të vazhdojë gjykimin pa praninë e një mbrojtësi ligjor.
Avokati Artan Qerkini, në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Osmani, ka theksuar para trupit gjykues se ata i bashkohen ndjekjes penale ndaj personit të akuzuar.
Sa i përket aspektit pasuror-juridik, avokati Qerkini ka bërë të ditur se nuk do të parashtrojnë ndonjë kërkesë për dëmshpërblim financiar, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të të pandehurit.
Në përfundim të seancës, pasi u regjistrua deklarimi i pafajësisë, Gjykata e ka udhëzuar të akuzuarin se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh ka të drejtë të dorëzojë kundërshtimet e tij lidhur me provat dhe të paraqesë kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: