Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë 2 min lexim

Abdixhiku thotë se disa parti minoritare po instrumentalizohen

Redaksia Lajmetereja • 07-05-2025 10:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Abdixhiku thotë se disa parti minoritare po instrumentalizohen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur reagimit të disa partive të komuniteteve joshumicë joserbe, që e akuzuan se në propozimin për qeveri të tranzicionit i ka përjashtuar komunitetet. Në reagim, Abdixhiku ka thënë se këto parti minoritare po instrumentalizohen dhe po kopjojnë gjuhën fyese të polarizuesve. Reagimi i plotë: Keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit. Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare. Të painteresuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste. Ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare. Mbi të gjitha, të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh bashkim ndër-shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet politik brenda shqiptarëve nuk është krim. Bashkëpunimi politik ndërshqiptar është mision politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga viti 1989 e deri më sot. Ç’është e vërteta, në 17 vite shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë. Me Kushtetutën e hartuar nga LDK. Gjersa fatkeqësisht, për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake. Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë. Një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare. Për të gjithë me interes, sidomos për bashkëqytetarët tanë të nderuar nga komunitetet jo shumicë ja dhe teksti i plotë i letrës, që fatkeqësisht refuzohet të lexohet qëllimisht nga tre përfaqësuesit e juaj parlamentar: “Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar