Politikë
Eksperti i Kushtetutës ngre alarmin: Pretendimet për shkelje në Dhomat e Specializuara janë shqetësuese
Reklamë e Sponsorizuar
Profesori i së drejtës kushtetuese dhe ndër hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Bajrami, ka analizuar në detaje raportin e Avokatit të Popullit, duke ngritur alarmin për mënyrën se theksohet respektimi i të drejtave të njeriut dhe garancive për një proces të drejtë gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
“E vlerësoj shumë lart këtë raport të Avokatit të Popullit, ku ai në kontinuitet ka shprehur shqetësime për këtë proces. Po flas këtu në cilësinë e profesorit të së drejtës kushtetuese, njëri prej hartuesve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe fillimisht dua të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka promovuar standardet më të larta për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Pra, kapitulli 2 dhe 3 i Kushtetutës së Kosovës do të trajtojë një nga modelet më të mira evropiane se si zbatohet Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe nëse Republika e Kosovës ka promovuar këto standarde kaq të larta, ka të drejtë legitime që të kërkojë respektimin e tyre ndaj shtetasve të Kosovës”, u shpreh Bajrami.
Sipas tij, themelimi i kësaj gjykate përbënte një çast jashtëzakonisht të ndjeshëm për vendin, teksa vendimi për t'i besuar një pjese të sovranitetit u mor me bindjen se institucioni do të mishëronte vlerat më të larta të drejtësisë evropiane.
“Në radhë të parë dua t’i adresohem këtu mysafirëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përfaqësuesve të zyrave diplomatike, për të treguar se themelimi i Dhomave të Specializuara ka qenë një moment shumë delikat për Republikën e Kosovës, sepse ka filluar pas konfirmimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe opinionit këshilldhënës me të cilën është konfirmuar se procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Dhe ky proces është zhvilluar me mirëbesim. Pra, Republika e Kosovës ka marrë një vendim shumë të rëndë që në emër të sovranitetit sovran të delegojë sovranitetin e vet te një gjykatë e specializuar me besimin e popullit të Kosovës që ajo do të promovojë standardet më të larta të drejtësisë evropiane. Për shkak se edhe vetë Këshilli i Evropës, por edhe vetë Bashkimi Evropian është i ndërtuar mbi bazat e sundimit të ligjit”, shtoi ai.
Pas një dekade funksionimi, Bajrami vuri në dukje se në vend të një modeli të suksesshëm, populli, organet shtetërore dhe Avokati i Popullit po ballafaqohen me dyshime serioze rreth mbrojtjes së lirive themelore.
“Dhe, në vend që ne të shohim këtë vit tani po bëhen 10 vite një proces model të promovimit të standardeve të larta të Bashkimit Evropian, me të drejtë populli i Kosovës, qytetarët e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Avokati i Popullit po shprehin shqetësimin legjitim për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në një proces i cili është premtuar se do të jetë proces i drejtë, një proces që do të arsyetonte komplet pritjet e qytetarëve evropianë e taksapaguesve evropianë dhe që do të promovonte standardet më të larta”, deklaroi ai.
Në fund, njohësi i kushtetutës adresoi kritika të ashpra për dinamikën e gjykimeve në këtë instancë, duke përmendur se janë vënë re parregullsi materiale e procedurale, si dhe shpërfillje e parimeve universale për një gjykim të paanshëm.
“Në vend të kësaj, këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një procesi të mbyllur, me përplot shkelje, shkelje materiale, shkelje procedurale, jo vetëm të legjislacionit të një shteti sovran siç është Republika e Kosovës, por edhe të standardeve të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë”, përfundoi Bajrami.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: