Politikë
Hapi i radhës për Byronë e Pasurisë: Formohet grupi punues në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke miratuar themelimin e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në krye të këtij grupi punues është emëruar Vigan Qorrolli, ndërsa trupa përbëhet nga ligjvënës të subjekteve të ndryshme politike, konkretisht Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, si dhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë shqyrtimit në komision, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, vuri në pah se këto trupa ndihmëse shërbejnë për të racionalizuar kohën dhe angazhimin e komisionit amë, duke sugjeruar gjithashtu që deputetët e tjerë të interesuar të kenë hapësirë për t'u kyçur në debatet rreth kësaj nisme ligjore.
“Grupet punuese që janë trupa të komisionit për me ekonomizuar kohën edhe punën e komisionit që mos me punu, kanë peshë komisioni. Por kufizime nuk duhet me pasë, nëse ka interesim prej deputetëve, anëtarëve të komisionit për me u përfshi, varësisht prej materies, s’ka pse ta trajtojmë kështu, si farë aspekti procedural i grupit me u përfaqësua e tjerë e tjerë. Kështu që unë personalisht edhe jam i interesuar që të marr pjesë në secilin diskutim për këtë projektligj. Dhe mirëpres edhe deputetë tjerë që të përfshihen. Keni parasysh që në grupin punues nuk votohet. As për propozime, as për nene, ato punohen, trajtohen të projektligjit nen për nen, jepen argumente edhe sillet në komision përsëri, atë votë, votë, vota s’ka peshë aty. Argumenti po, vota jo”, u shpreh Rrustemi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: