Aktuale
Kompania “Pestova” reagon pas tërheqjes së një serie të “Flips Ketchup” në Slloveni: Ja çfarë po ndodh
Reklamë e Sponsorizuar
Kompania “Pestova” ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me vendimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për tërheqjen nga tregu të një serie të produktit “Flips Ketchup”, duke specifikuar se masa prek vetëm këtë artikull dhe jo “VIPA Chips”.
Në reagimin e saj, ndërmarrja bën të ditur se ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm në bashkëpunim të ngushtë me AUV-në dhe organet kompetente sllovene për të menaxhuar situatën.
“Pas sqarimit të situatës, dhe me rekomandim të autoriteteve kompetente në Slloveni, produktet janë lëshuar në treg për qarkullim të lirë”, thuhet në njoftimin e kompanisë, duke shtuar se artikujt e tyre vijojnë të tregtohen normalisht si në Slloveni ashtu edhe në tregjet e tjera të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, “Pestova” ka hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim se në proceset e saj prodhuese përfshihen përbërës të qumështit.
“Dëshirojmë të theksojmë se në asnjë fazë të prodhimit, në asnjë linjë dhe në asnjë produkt të Pestovës nuk përdoret qumësht, laktozë, hirrë apo ndonjë nënprodukt tjetër i qumështit”, deklaron ndërmarrja.
Sipas menaxhmentit, ky fakt është vërtetuar edhe nga kontrollet zyrtare të AUV-së, ndërsa prania e gjurmëve të raportuara në shtetin slloven nuk lidhet aspak me fabrikën e tyre.
“Burimi i tyre po verifikohet përmes analizave shtesë në laboratorë të akredituar, dhe përfundimet do t’i ndajmë me autoritetet kompetente dhe me publikun sapo të jenë përfundimtare”, sqarohet tutje në reagim.
Duke vënë theksin te besueshmëria, “Pestova” ka kujtuar se ndër vite operon në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, ndërsa portofoli i saj i nënshtrohet certifikimeve të rregullta nga organizma të pavarur dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme institucionale vendase e evropiane.
Kujtojmë se gjatë ditës, AUV bëri të ditur se artikulli “Flips Ketchup” i prodhuar nga “Pestova”, me afat skadence deri më 11.02.2027, është përfshirë në një proces tërheqjeje nga tregu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: