Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

Valë e re sulmesh ruse në Ukrainë: Mbi gjysmë milion qytetarë pa dritë, raportohen viktima dhe të plagosur në Kiev

Redaksia Lajmetereja • 14-10-2026 08:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Valë e re sulmesh ruse në Ukrainë: Mbi gjysmë milion qytetarë pa dritë, raportohen viktima dhe të plagosur në Kiev
Rreth 600 mijë banorë në territore të ndryshme të Ukrainës janë zhytur në errësirë pas një serie sulmesh gjatë natës me dronë dhe raketa të ndërmarra nga forcat ruse. Për këtë situatë ka njoftuar Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka konfirmuar humbje jetësh dhe dëme të rënda materiale në rrjetin energjetik kombëtar. Sipas kreut të shtetit, goditjet kanë marrë shënjestër infrastrukturën vitale të energjisë në Kiev, në zonën përreth kryeqytetit, si dhe në qytetin verilindor të Kharkivit. Në qendrën e kryeqytetit ukrainas, bilanci flet për të paktën tre viktima dhe 21 persona të plagosur, të dhëna këto të konfirmuara nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës (DSNS). Këto sulme ndodhin pavarësisht paralajmërimeve dhe njoftimit të bërë të dielën (11 tetor) nga Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili deklaroi se Rusia dhe Ukraina kishin dakordësuar një “armëpushim energjetik”, duke u bërë thirrje palëve që të respektojnë marrëveshjen. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë orëve të natës Moska përdori 39 raketa balistike e kruz, si dhe 128 dronë, ndërkohë që mbrojtja ajrore ukrainase arriti të neutralizojë katër raketa dhe 115 dronë. Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pranoi se ofensiva e saj e gjerë kishte për qëllim infrastrukturën e energjisë dhe të komunikimit në rajonet e Kievit dhe Kharkivit, të cilat sipas saj shërbejnë për nevojat e ushtrisë ukrainase. Nga ana e Moskës u pretendua gjithashtu se gjatë natës u rrëzuan 902 dronë ukrainas në hapësira të ndryshme ruse, duke përfshirë zonën e Moskës dhe gadishullin e Krimenë, territor i ukrainës i aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Presidenti Volodymyr Zelensky ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Kievi mbetet i hapur për të pezulluar sulmet ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike ruse, nëse pala kundërshtare vepron në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, goditjet e fundit ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës shtrojnë dyshime të forta mbi funksionimin e armëpushimit të shpallur nga Trump.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar