Sport
12 vjet nga 'droni' që tronditi Beogradin: Si u shndërrua një ndeshje futbolli në histori
Reklamë e Sponsorizuar
Sot bëhen 12 vjet nga nata e 14 tetorit 2014, kur stadiumi i Beogradit u kthye në skenën e një ngjarjeje që tejkaloi kufijtë e sportit. Në orën 21:27, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016, u ndërpre përfundimisht pas një serie incidentesh të paralajmëruara që nga atmosfera e rënduar e krijuar para fillimit të sfidës.
Frika dhe tensioni kishin shoqëruar ekipin kuqezi që në mbërritje, pasi tifozëve shqiptarë u ishte ndaluar pjesëmarrja, ndërsa himni kombëtar ishte pritur me fishkëllima e provokime të vazhdueshme nga tribunat serbe. Arbitri britanik Martin Atkinson e kishte të pamundur të menaxhonte një ndeshje që më shumë se si sport, po trajtohej nga pala serbe si një konflikt i hapur.
Në minutën e 42-të, kur Shqipëria po shfaqte një lojë mjaft të disiplinuar, qielli i Beogradit u pushtua nga një dron që mbante flamurin me hartën e trojeve etnike shqiptare dhe portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, shoqëruar me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”. Heshtja e stadiumit u thye kur një lojtar serb kapi flamurin, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të futbollistëve shqiptarë që vrapuan për ta mbrojtur simbolin kombëtar.
Situata degjeneroi në një përleshje fizike, ku tifozët serbë zbritën në fushë për të sulmuar lojtarët mysafirë. Sigurimi i stadiumit, në vend të neutralitetit, u bë palë me huliganët, duke dhunuar futbollistët shqiptarë derisa ata arritën të futen në tunelin drejt zhveshtoreve. Pasi dorëzuan flamurin te delegatët e UEFA-s, lojtarët u kthyen në Tiranë në orët e para të mëngjesit.
Ngjarja vazhdoi të ziente në zyrat diplomatike. Politika serbe nxitoi të akuzonte palën shqiptare, duke çuar në shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd për disa javë, për shkak të aludimeve të pabaza se vëllai i tij ishte përfshirë në lëshimin e dronit. Kur takimi Rama-Vuçiç më në fund ndodhi, tensioni ishte ende i pranishëm në deklaratat e tyre.
Në rrafshin sportiv, beteja u transferua në tavolinat e UEFA-s. Fillimisht, Komisioni Disiplinor vendosi në favor të Serbisë, por pas një beteje të gjatë ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik 2015, drejtësia u vendos në vend: Shqipëria fitoi tri pikët e ndeshjes.
Ndërkohë, Ismail Morina, i njohur si “Ballisti”, doli në pah si autori i dronit, duke u shndërruar në një figurë polarizuese. Pak para ndeshjes së kthimit në Elbasan, ai u arrestua nën akuzat për armëmbajtje pa leje dhe posedim biletash të falsifikuara. Pavarësisht fitores morale dhe ligjore, ndeshja e kthimit në Shqipëri përfundoi me rezultatin 0:2 për Serbinë, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë sonë sportive.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: